Misioni
Zyra Administrative, sipas Rregullores 2001/19, mbështet shërbimet administrative në Zyrën e Kryeministrit dhe si e tillë funksionon përmes seksioneve, divizioneve dhe një njësie:
▪ Seksioni i personelit
▪ Seksioni i infrastrukturës
▪ Seksioni i teknologjisë informative
▪ Seksionin gjuhësor
Seksionet nëndahen në: Divizionin e burimeve njerëzore, Divizionin për teknologji informative, Divizionin gjuhësor dhe Njësinë për logjistikë dhe infrastrukturë.
Seksioni i personelit është përgjegjës për rekrutimin e zyrtarëve të ZKM-së, pajisjen me kontrata pune, përshkrimin e vendeve të punës, hapjen e dosjeve të punëtorëve, si dhe detyra të tjera që janë përgjegjësi e Seksionit të personelit.
Seksioni i infrastrukturës është përgjegjës për akomodimin e të gjithë zyrtarëve me hapësirë të nevojshme për punë, pajisje të nevojshme me logjistikë, si dhe detyra tjera që krijojnë kushte sa më të volitshme për punë.
Seksioni i teknologjisë informative, përveç sigurimit të pajisjeve me teknologji për të gjithë zyrtarët, është përgjegjës për mirëmbajtjen e TI-së, si dhe të gjitha punëve përcjellëse që kanë të bëjnë me sistemet lidhëse.
Seksioni gjuhësor është përgjegjës për përkthimin simultan, përkthimin e materialeve nga gjuha shqipe në gjuhën angleze dhe anasjelltas, nga gjuha shqipe në gjuhën serbe dhe anasjelltas, si dhe për lekturën e materialeve në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe.
Divizioni për logjistikë dhe infrastrukturë siguron dhe ofron shërbime rreth organizimit të shërbimeve të transportit për tërë stafin e ZKM-së dhe menaxhohet e tërë infrastruktura e Ndërtesës së Qeverisë për katet që ZKM-ja i ka në shfrytëzim, harton planin e shfrytëzimit të sallave për takime, siguron pajisje dhe zhvillon aktivitete për mirëmbajtjen e tyre, si dhe kujdeset për akomodimin e personelit të ZKM-së.
Divizioni gjuhësor ofron shërbime të përkthimeve me shkrim të shkresave, dokumenteve, materialeve të ndryshme dhe ligjeve, dhe ofron shërbime të lekturës dhe shërbime për përkthim simultan sipas kërkesave të personelit të ZKM-së dhe të bashkëpunëtorëve të ZKM-së. Përkthimi bëhet në gjuhës shqipe, angleze dhe serbe.
Divizioni për teknologji informative ofron shërbime për mirëmbajtjen e rrjetit të telefonisë fikse dhe rrjetit kompjuterik të ZKM-së, dhe siguron një adresar në formë elektronike për gjithë personelin dhe bashkëpunëtorët e ZKM-së.