Që nga formimi i Qeverisë së Kosovës, në mars të vitit 2002, e deri më sot, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, është angazhuar maksimalisht, për zbutjen e problemeve sociale, ofrimin e shërbimeve të nevojshme për të punësuarit në Kosovë, si dhe për krijimin e kushteve për punëkërkuesit, që të aftësohen në ato profile që i kërkon ekonomia e tregut.
Për t’i realizuar këto qëllime, është dashur që në radhë të parë, të krijohet infrastruktura ligjore, andaj prioritet i punës sonë ka qenë hartimi i projektligjeve, të cilat do të krijonin një bazë të mirë për një fillim të mbarë, por edhe për një të ardhme më premtuese, sepse janë në përputhje me standardet e shoqërive demokratike dhe janë të pranuara edhe nga ekspertë të Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit, në të ardhmen, synojmë të jemi edhe ne.
Me ndihmën e ekspertëve të USAID-it kemi krijuar një skemë pensionale krejtësisht të re Ligji mbi Pensionet Bazë, e cila mbulohet nga buxheti i konsoliduar i Kosovës dhe si rezultat i saj, sot në Kosovë, më tepër se 124 884 pensionistë të të gjitha nacionaliteteve marrin pensionet e tyre. Në Kosovë, po ashtu tani kemi edhe Ligjin e Skemës së Ndihmës Sociale, i cili po ashtu, është miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Sot marrin asistencë sociale mbi 41 800 familje, me afro 175 940 anëtarë.
Lufta që ndodhi në Kosovë, përpos që shkaktoi dëme të mëdha ekonomike, shkaktoi edhe dëme të pariparueshme, mori shumë jetë njerëzish, shkatërroi familje të shumta, duke lënë nëna e fëmijë pa përkujdesje dhe invalidë të përjetshëm. Për qytetarët e kësaj kategorie kemi hartuar një skemë përmes së cilës ndihmohen invalidët e luftës, invalidët civilë të luftës dhe familjet që humbën më të afërmit e tyre. Në bazë të kritereve të kësaj skeme ndihmë marrin mbi 7 000 familje. Ekziston edhe Ligji për Persona me Aftësi të Kufizuara në bazë të të cilit sot pensionin nga kjo skemë e marrin mbi 27 500 vetë.
Mirëpo, duhet të theksojmë se Skema e Ndihmës Sociale në Kosovë, për shkak të buxhetit të kufizuar, ka për bazë ende familjen dhe jo individin; ndërsa në të ardhmen, me rritjen e buxhetit, synojmë që ndihma sociale të jetë individuale, pra për secilin qytetar të Kosovës që ka nevojë për një ndihmë të tillë.
Në sferën e punësimit deri më tani janë miratuar nga Parlamenti i Kosovës Ligji mbi Inspektoratin e Punës dhe Ligji për Siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientit në punë.
Ndërkohë që në fazën përfundimtare janë edhe Projektligji mbi Shërbimet Sociale, Projektligji mbi Promovimin e Punësimit, dhe Projektligji Themelor i Punës.
Pas miratimit në parim në Kuvendin e Kosovës dhe pas harmonizimit të qëndrimeve është gati për t’u dorëzuar në komisionin parlamentar Projektligji për Familjet e Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës, i cili pritet të hyjë në fuqi që në fillimi i vitit 2006.
MPMS-ja në përgjithësi është e kënaqur me sferën e krijuar legjislative, por do të vazhdoi edhe më tej plotësimin e infrastrukturës ligjore në bazë të standardeve ndërkombëtare. |