Aktiviteti i MPMS-së gjatë vitit 2008
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, bazuar në planin e punës për vitin 2008 dhe fushëveprimit që ka në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe gjatë këtij viti kalendarik ka vazhduar me sukses realizimin e objektivave dhe detyrimeve të saja që ka sipas legjislacionit ekzistues, që rregullon sferën sociale, atë të punës, punësimit dhe në mbikëqyrjen e dispozitave ligjore, të aplikueshme në Kosovë, që rregullojnë sferën e punës, punësimit, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.
• Legjislacioni
Me Programin Legjislativ të MPMS-së dhe Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Kosovës për vitin 2008, janë hartuar, shqyrtuar dhe finalizuar pesë projektligje nga fushëveprimi i kësaj ministrie:
1. Projektligji për pensionim të parakohshëm të pjesëtarëve aktiv të TMK-së, të cilët do të përfshihen në Forcën e Sigurisë të Kosovës. (i përfshirë edhe në dokumentin gjithëpërfshirës të z. Ahtisari).
2. Projektligji për punë
3. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 2-L/2 për statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të viktimave civile të luftës
4. Projektligji për sigurimin pensional dhe invalidor në Kosovë dhe
5. Projektligji për punësimin e shtetasve të huaj në Kosovë.
Nga këto projektligje, Projektligji për punë është shtyrë për miratim, për shkak të implikimeve të larta buxhetore në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës
Për zbatimin e drejtë dhe efikas të legjislacionit primar të aplikueshëm nga fushëveprimi i MPMS-së, janë nxjerr 11 udhëzime administrative dhe 4 marrëveshje mirëkuptimi.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar përafrimit të legjislacionit të kësaj ministrie me legjislacionin e BE-së, që do të thotë se për të gjitha projektligjet e draftuara është bërë përafrimi fillestar me Acquis Communitaire.
• Investimet kapitale
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë këtij viti kalendarik në investime kapitale ka investuar me 4 milion e 318 mijë e 740 euro dhe atë në renovimin e Qendrës Rekreative për Fëmijë në Nashec (714 108,04 euro), ndërtimi i Zyrës Komunale të Punësimit në Ferizaj (259 084.00 euro), ndërtimi i Zyrës Komunale të Punësimit në Dardanë (139 462.00 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Skenderaj (616 578.97 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Drenas (475 098.00 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Graqanicë (629 457.10 euro), renovimi i ISSh dhe shtëpisë së komunitetit në Shtime (90 937.00 euro), ndërtimi i objektit të QPS në Lipjan (141 713.89 euro), ndërtimi i objektit të QPS në Vushtrri (186 818.54 euro), ndërtimi i objektit për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare në Mitrovicë (361 012.40 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Gjakovë (439 835.14 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Dobratin (281 994.02 euro), renovimi i kulmit të QAP-QRP në Prizren (23 8892.00 euro).
• Përkujdesja institucionale për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe viktimat civile të luftës
Nga janari i këtij viti ka filluar zbatimi i plotë i Ligjit 02/L-2 në fushën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës, veteranëve të luftës dhe viktimave civile të luftës.
Të drejtën në pension deri më tani e kanë realizuar gjithsej 11 509 shfrytëzues, ndërsa mjetet e shpenzuara për pagesën e pensioneve për këtë kategori janë 17 877 712.51 €.
Është bërë ekzekutimi i vendimit të Qeverisë nr. 10/22 të datës 30.05.2008 për rehabilitim shëndetësor për 800 Invalidë të UÇK-së dhe 200 anëtarë të familjeve të dëshmorëve, në vlerë 153 000.00 € si dhe vendimin e Qeverisë nr. 03/45 të datës 14.11.2008 për ngrohje dhe ushqim për Shoqatën e Invalidëve të UÇK-së në vlerë prej 125,000.00 €.
Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes MPMS dhe OJQ-ve, për shoqatat e dala nga lufta, Shoqatën e të Burgosurve Politik, Thirrjet e Nënave, Lidhjen e Invalidëve Civil të Luftës dhe 27 Prilli 1999-Meje, janë ndarë 113 850 €.
Në Banjën e Pejës dhe të Kllokotit janë dërguar për rehabilitim 159 invalidë të luftës, ku kostoja për këtë projekt ka qenë 23 850€.
• Mirëqenia sociale
Në sferën e shërbimeve sociale një vëmendje e veçantë u është kushtuar të gjithë qytetarëve duke filluar nga fëmijët e deri tek personat e moshuar pa përkujdes familjar. Për fëmijët pa kujdes prindëror, ku bëjnë pjesë fëmijët e braktisur, fëmijët prindërit e te cilëve nuk janë gjalle, janë të pa njohur, të zhdukur, apo edhe kur prindërit për çfarëdo arsye nuk janë në gjendje të përkujdesen për ta për kohe të përkohshme, janë realizuar 11 raste të bashkimit familjar.
Për fëmijët pa kujdes prindëror e të strehuar te farefisi numri maksimal mujor i fëmijëve të strehuar ka qene 618 fëmijë. Për këtë kategori të strehimit realizohet pagesa 75 euro në muaj. Për bebet e braktisura dhe fëmijët e keqtrajtuar të strehuar te familjet e trajnuara që nuk kanë lidhje farefisnore me fëmijët, numri maksimal i strehimit mujor është 42. Në tërësi fëmijë pa kujdes prindëror e nën kujdestari janë 1 486 fëmijë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me OJQ SOS Kinderdorf për strehimin e përkohshëm të fëmijëve pa kujdes prindëror e te braktisur, ku në këtë projekt të SOS-it janë strehuar deri në 27 fëmijë në muaj, kurse në projektin Shtëpia e Bletëve janë të strehuar 4 fëmije me nevoja të veçanta e të braktisur. Shtëpia e Bletëve financohet bashkërisht nga SOS Kinderdorf dhe MPMS-ja.
Gjatë këtij viti janë adoptuar 36 fëmijë.
Në strehimoren Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve kanë kaluar 23 fëmijë të abuzuar, kurse tetë fëmijë janë aktualisht të strehuar, sepse akoma nuk janë krijuar kushtet për bashkim familjar. Poashtu janë trajtuar 1 500 fëmijë delikuent dhe 358 fëmijë me sjellje asociale. Për mbrojtjen e këtyre fëmijëve janë realizuar format e duhura të mbrojtjes, në pajtim me ligjet në fuqi. Është krijuar një partneritet i mirë me gjykata, polici, shërbimin sprovues, shkolla dhe OJQ.
MPMS-ja, ka vazhduar me monitorimin dhe angazhimin në parandalimin e punëve të rënda për fëmijët ku janë hartuar pesë forma standarde për procesin e monitorimit të punës së fëmijëve, që do të përdoren nga të gjithë partnerët që janë të përfshirë në këtë proces. Gjithashtu janë themeluar tri komitete lokale të veprimit, me 74 zyrtarë të certifikuar (Prishtinë, Prizren, Mitrovicë).
Është përgatit dhe botuar hulumtimi “Dhuna në familje 2004-2008”, gjithashtu janë hartuar projekt-propozimet Dhuna në shkolla, Narkomania, Një shoqëri pa barriera, kurse për botim është përgatit edhe broshura informative për monitorimin e punëve të fëmijëve.
Në kuadër të shërbimeve sociale MPMS-ja është e angazhuar edhe me detyra shtesë në zbatimin e Projektit për Kthimin e Personave nga Vendet e Treta. Në bazë të raporteve të sjella nga punëtorët social në terren (Aeroport ) numri i personave të kthyer dhe shërbimet e ofruara nga MPMS për vitin 2008 janë 1 535, prej tyre vullnetarë të kthyer janë 328, kurse të deportuar 1 207.
Në bazë të procedurave të prokurimit janë nënshkruar kontrata për mbështetje njëvjeçare me gjashtë OJQ, që në kuadër të tyre kanë strehimore për strehimin e viktimave të dhunës në familje. Këto strehimore strehojnë gra dhe gra me fëmijë viktima të dhunës në familje. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale mbështet me mjete monetare në shumën prej 50% të shpenzimeve elementare si ushqim, veshmbathje, medikamente etj.
Qendrat për Punë Sociale në nivelin lokal gjatë kësaj periudhe kanë trajtuar, menaxhuar dhe u kanë ofruar shërbime sociale 9 viktima të trafikimit vendore.
Nëpunësit e shërbimeve sociale kanë bërë menaxhimin, trajtimin dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme për 21 raste të krimeve seksuale, kurse në çrregullimet martesore ku përmes këshillimeve dhe formave tjera kanë trajtuar 157 raste të shkurorëzimeve, 63 raste të ndarjeve, 115 raste janë në procedurë.
Përkujdesja institucionale-rezidenciale për personat e moshuar dhe pa përkujdes familjar dhe për persona me aftësi të kufizuara mendore është realizuar dhe realizohet në shtëpinë bazë të personave të moshuar në Prishtinë, në shtëpinë e komunitetit në Skenderaj (për të moshuarit) si dhe në Institutin bazë në Shtime dhe në 7 shtëpitë e komunitetit: në Shtime dy, Vushtrri, Ferizaj, Deçan, Dardanë dhe Graqanicë (për personat me aftësi të kufizuara mendore).
Gjatë vitit 2008 janë funksionalizuar katër shtëpi të komunitetit, dy për persona të moshuar (Skenderaj dhe Gurakoc) dhe dy për persona me aftësi të kufizuara mendore (Deçan dhe Dardanë).
Është bërë renovimi i të gjitha hapësirave të objekteve në Institutin bazë në Shtime dhe në shtëpinë e komunitetit në Shtime në vlerë prej 100.000,00 € dhe kështu është avancuar dhe përmirësuar kualiteti jetësor për klientët e këtij instituti. Është përmbushur plani i punës lidhur me realizimin e shëtitjeve duke i nxjerr jashtë institucioneve klientët e të dy institucioneve dhe ata të shtëpive të komunitetit, gjithnjë duke punuar në sferën e avancimit dhe integrimit në komunitet të këtyre kategorive.
Numri i klientëve në të dy institucionet dhe në shtëpitë e komunitetit është gjithsej 240 dhe atë në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë dhe Skenderaj 110, kurse në ISSh dhe në shtëpitë e komunitetit 130.
Në periudhën janar-tetor 2008, numri i shfrytëzuesve të ndihmës sociale ka rënë për 3 685 familje, apo për 9.85 % dhe shuma e mjeteve financiare është zvogëluar për 231 720.00 €, ose për 10.13 % më pak. Kjo është në radhë të parë si rezultat i një sërë masash të MPMS-së për të zbatuar me konsekuencë Ligjin e SNS-së me çka ka kontribuar në largimin nga Skema e Ndihmës Sociale familjet që vërtetë nuk i kanë plotësuar kriteret për ndihmë sociale.
Bazuar në Ligjin për Skemën e Ndihmës Sociale, nr. 2003/15 të gjithë qytetarët- familjet e varfra në Kosovës, që i kanë plotësuar kriteret e Skemës së Ndihmave Sociale, pa dallim etnie, gjuhe e feje e kanë shfrytëzuar dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë ndihmën sociale. Aktualisht në listën e shfrytëzuesve të ndihmave sociale janë 34 307 familje me 149 227 anëtarë, kurse shuma e përgjithshme e paguar gjatë kësaj periudhe ka qenë 24 027 750.00 euro.
Struktura nacionale e familjeve që shfrytëzojnë ndihmën sociale në Kosovë, shprehur në përqindje duket si në vijim: shqiptarë 78.68 %, serbë 12.56 %, malazezë 0.03 %, myslimanë 1.84 %, turq 0.30 %, ashkali 3.64 %, romë 2.27 %, të pa deklaruar 0.33 % dhe të tjerë 0.34 %.
Edhe këtë vit, si edhe vitin e kaluar, janë lidhur Marrëveshje Mirëkuptimi me MEF-in dhe KEK-un, për vazhdimin programit për shlyerjen e borxheve të energjisë elektrike për shfrytëzuesit e Skemës së Ndihmave Sociale, Skemës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës. Me këtë marrëveshje parashihet që çdo familje që përfiton nga skemat e sipërpërmendura t’i shlyhen borxhet e energjisë elektrike në lartësi deri 20 euro në muaj. Aktualisht MPMS dhe KEK-u janë duke i shkëmbyer bazat e të dhënave dhe parashihet që të bëhet shlyerja e borxheve të energjisë elektrike për shfrytëzuesit e skemave të lartpërmendura.
Në muajin prill janë përgatitur objektivat e përgjithshme dhe specifike të programeve sociale ,të cilat objektiva janë përfshirë në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve(KASH) për vitin 2009-2011. Gjithashtu për realizimin e këtyre objektivave janë paraqitur edhe kostot buxhetore për implementim për periudhën tre vjeçare, të cilat i janë dorëzuar MEF-it për përfshirje në kuadër të KASH-it 2009-2011.
• Puna dhe punësimi
Përmes shtatë qendrave rajonale të punësimit dhe 23 zyrave komunale të punësimit si dhe gjashtë nënzyrave janë kryer këtë aktivitete:
• Regjistrimin e 18033 punëkërkues prej tyre 7644 femra,
• Ç’regjistrimin e 116931 punëkërkuesve prej tyre femra 6276,
• Vizitat në 18200 ndërmarrje në të gjithë sektorët për gjetjen e vendeve të lira të punës dhe shikimin e nevojave për aftësime profesionale,
• Gjetje të 6050 vendeve të lira të punës;
• Punësimin e 5053 punëkërkues me ndërmjetësim në punësim;
Ndihmuar në këshillim të më se 18824 punëkërkues për punësim dhe vetëpunësim.
• Në bashkëpunim me ILO-n kanë realizuar trajnimin e stafit të QRPP dhe ZKP në fushat siç janë:
• skemat e trajnimit në punë,
• përdorimin e SIMP-it, skemat sociale,
• trajnimet për karrierë dhe të vetëpunësimi.
• Hapja Qendrës së Shërbimeve për Migrim, ku kryhen shërbimet si:
• politikat nacionale dhe
• praktikat e menaxhimit rreth migrimit,
• zhvillimi i marketingut të tregut të jashtëm të punës,
• mbrojtja e punëtorëve që migrojnë dhe shërbimet për migrantët,
• informatat e migrimit për punë dhe të dhëna rreth migrimit ,
• këshillimet rreth migrimit etj.
• Në kuadër të Programit për Gjenerim të Punësimit për vitin 2008 me UNDP-in , ILO-në është realizuar ‘Programi i Tregut Aktiv të Punës për të Rinjtë’, donacion ky i Qeverisë Norvegjeze,
• Projekti ‘Punësimi Sezonal i Studentëve të rregullt në Gjermani’,
• Projekti i ‘Punëve Publike’ për 2008;
• Projekti i ‘Pyllëzimit të Sipërfaqeve të Zhveshura në Kosovës’2008,
• Projekti i LUX-Development “Ngritja e Aftësive Profesionale në Kosovë’,
• Projekti i ‘Aftësimi dhe Punësimi i Personave me Aftësi të Kufizuara’.
‘Programi i Tregut Aktiv të Punës për të Rinjtë’
Në vitin 2008 nga ky projekt janë ndërmjetësuar dhe punësuar 480 punëkërkues ku 80 prej tyre minoritar. Projekti do të vazhdoj edhe gjatë vitit 2009.
‘Punësimi Sezonal i Studentëve të rregullt në Gjermani’
Ky projekt ka vazhduar edhe gjatë vitit 2008. Përmes këtij projekti janë ndërmjetësuar në punësim sezonal në tregun Gjerman 182 student të rregullt ku nga këta 67 femra. Punësimi i tyre është bërë për 3 muaj.
‘Punët publike 2008’
Punëkërkues të ndërmjetësuar ishin 614 punëkërkues prej nga 67 ishin minoritar në kohëzgjatje prej 1 deri në 3 muaj. Projekti do të vazhdoj edhe gjatë vitit 2009 me ç’rast është ndër e njëjta shumë.
Pyllëzimit të Sipërfaqeve të Zhveshura në Kosovës’
‘Pyllëzimit të Sipërfaqeve të Zhveshura në Kosovës’– 2008, ku si rezultat i këtij bashkëpunimi janë tridhjetë (30) Nën-projekte, 874 punëkërkues të ndërmjetësuar në punësim, prej tyre, 80 minoritar në kohë zgjatje prej një (1) muaji.
‘Aftësimi dhe Punësimi i Personave me Aftësi të Kufizuara’
MPMS në bashkëpunim me UNDP-në hartuan projektin për “Aftesimin dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara’.
Për realizimin e këtij Projekti UNDP akordoi 6.000 €. Në kuadër të këtij projekti janë ndërmjetësuar për aftësim dhe punësim 30 punëkërkues me aftësi të kufizuara (prej tyre 22 femra dhe 3 minoritar) në DPP, QRPP dhe ZKP me orar te shkurtuar. Kohëzgjatja e projektit ishte dy (2) mujore.
• Mbikëqyrja e dispozitave ligjore që rregullojnë lëmin e punës, punësimit, sigurisë në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës
Mbikëqyrja e dispozitave që rregullojnë lëmenjtë e lartcekur realizohet përmes Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës (TEIP), ka kryer 5 929 kontrollime të punëdhënësve, ku janë përfshirë 19 119 të punësuar. Gjithashtu janë kryer 4 836 kontrollime të rregullta, 633 kontrollime inspektuese, 238 kontrollime të jashtëzakonshme, 195 kontrollime në bashkëpunim me organet tjera të mbikëqyrjes dhe 689 kontrollime për verifikimin e kushteve të punës për dhënien e pëlqimit për punë. Lidhur me gjendjen e konstatuar janë hartuar 4 889 procesverbale, 890 shënime zyrtare, janë shqiptuar 393 vërejtje (me shkrim) dhe janë nxjerr 924 aktvendime. Evidencën e punonjësve në punë nuk e mbajnë 271 punëdhënës me çka vështirësohet identifikimi i punëtorëve në vend të punës. Numri i përgjithshëm i kërkesave të drejtuara TEIP-së është 360 me shkrim, të cilat kërkesa janë trajtuar në mënyrë adekuate.
Për këtë periudhë kohore ka pasur 19 lëndime dhe 6 raste të lëndimeve me pasojë vdekjen e punonjësve në vendin e punës. Gjatë kontrollimeve është konstatuar se numri i punëdhënësve që punojnë ilegalisht është 105. Në vendet e punës janë takuar të punojnë pa kontrata të punës 1 229 punonjës, 180 punëdhënës të cilët nuk kishin lidhë fare kontrata të punës dhe pagat nuk shoqërohen me dëftesa në 301 raste.
• Pensionet
Nga janari i këtij viti ka filluar zbatimi i Udhëzimit Administrativ Nr. 11/2007, që parasheh rritjen e pensionit bazë për 35 euro, për të gjithë pensionistët që kanë qenë kontributpagues për 15 vjet, në ish-fondin pensional. Deri më tash pensionin me rritje e kanë shfrytëzuar 27 774 pensionistë.
Në listën e shfrytëzuesve të Pensionit Bazë për muajin dhjetor 2008, kanë qenë 138 847 pensionistë. Kurse shuma totale e pagesës për këta pensionistë për periudhën janar-nëntor 2008 është 65 milionë e 873 mijë e 400 euro. (Këtu janë të përfshirë edhe pensionet me rritje)
Në Skemën e Pensioneve për Persona me Aftësi të Kufizuara, përfitues të kësaj skeme janë aktualisht 20 mijë e 50 pensionistë, kurse për këtë periudhë raportuese për këtë kategori janë ndarë mjete në vlerë prej 10 milionë e 38 mijë 860 euro.
Me Skemën e Pensioneve të Parakohshme “Trepça” procedurën e udhëheq menaxhmenti i kompleksit “Trepça”, kurse monitorimin e pagesave e bënë MPMS-ja.
Përfitues në këtë skemë aktualisht janë 4 540 përfitues, kurse shuma e paguar për këtë periudhë ka qenë 2 milion e 775 mijë e 750 euro.
MPMS, gjegjësisht departamenti gjegjës për pensione ka kryer një aktivitet mjaftë të dobishëm për qytetarët e Kosovës që kanë punuar dhe kontribuuar në botën e jashtme, duke u bazuar në konventat ndërkombëtare, që janë në fuqi nga viti 1968. Përmes MPMS-së rregullimin e pensionit të pleqërisë e kanë rregulluar 1 768 qytetarë tanë, pensionin familjar 842, pensionin invalidor 661 qytetar dhe atë në shtetet Gjermani, Zvicër, Austri, Francë, Belgjikë, Holandë dhe Itali.
Me qëllim të ngritjes profesionale të të punësuarve në MPMS dhe konform kërkesave dhe ftesave që kanë ardhur nga Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP), për trajnime në fusha të ndryshme janë trajtuar të gjitha ftesat për trajnime duke bërë përzgjedhjen e nëpunësve të MPMS-së të cilët kanë vijuar trajnimet e organizuara.
• Të drejtat dhe liritë e njeriut
Aktiviteti për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, sikur edhe në dikasteret tjera të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është kryer përmes njësisë përkatëse, duke u bazuar në UA nr. 2005/8 për përshkrimin e detyrave të Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe UA nr. 2007/4 për institucionalizimin e NjDNj, ku është bërë promovimi, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si të stafit të MPMS gjithashtu edhe të përfituesve të shërbimeve të MPMS.
• Marrëdhëniet me publikun
Për të qenë sa më transparent me publikun Zyra për Komunikim Publik në MPMS përmes komunikatave të përgatitura për media dhe marrëdhënieve të shkëlqyeshme me media ka arritur që në mediat e shkruara të evidentoj 803 shkrime që kanë të bëjnë më MPMS-n, kurse në ato elektronike 213 shkrime. Po përmes kësaj zyre në formë ftesash, prononcimeve, njoftimeve për publikun janë evidentuar 93 paraqitje.
Në adresë të Zyrës për Komunikim Publik janë adresuar 22 kërkesa të ndryshme nga qytetarët e Kosovës, kërkesa që edhe kanë marrë përgjigje adekuate. |