Organizuar nga Ministria e Energjetikës dhe Minierave, sot në lokalet e Sheshit 21 në Prishtinë u majt Konferenca Ndërkombëtare me temën Përmirësimi dhe rikultivimi i tokave të dëmtuara për një mjedis më të mirë”
Në fjalën e tij përshëndetëse ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Z. Mahir Yagcilar , tha se MMPH mbetet e përkushtuar për hartimin e politikave, infrastrukturës ligjore dhe instrumenteve mjedisore për plotësimin e objektivave tona në përmirësimin e qëndrueshëm të kualitetit të mjedisit.
Deri më tani MMPH-ja ka adresuar problemet kyçe mjedisore, ka përgatitur dokumentet e nevojshme strategjike si dhe është në proces përfundimtar të kompletimit të strategjive të tjera sektoriale, shumë të nevojshme për zgjidhjen e problemeve mjedisore.
Ndër çështjet kryesore dhe me ndikim në mjedisin e Kosovës, MMPH-ja ka trajtuar edhe pikat më të ndjeshme mjedisore, përkatësisht ajo që tashmë në terminologjinë ndërkombëtare po quhet si Hot-Spote mjedisore.
“Ekspertët e MMPH-së, gjithnjë në bashkëpunim me Ministritë dhe institucione tjera, kanë prekur këtë problem, kanë evidencuar atë si çështje me prioritet dhe e kanë trajtuar atë nëpërmes planeve dhe projekteve të caktuara.
Është mirë e njohur se hot-spotet mjedisore janë krijuar kryesisht si rezultat i veprimtarisë industriale të së kaluarës, të shkaktuara nga aktivitetet e minierave, nga deponitë e vjetra të pa menaxhuara, nga kimikate të deponuara, vajra mbeturinë, pesticide të skaduara e kështu më radhë.
Duke njohur ndikimin e theksuar të këtyre hot spoteve në mjedis, si dhe rrezikun për shëndetin e qytetarëve, hot-spotet janë adresuar në Strategjinë e Kosovës për Mjedis -2004, në Planin e Kosovës për Veprim në mjedis 2006-2010, në Planin e Veprimit për Partneritet Evropian 2009, si dhe në planet e punës të MMPH-së.
MMPH-ja nëpërmes Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka evidencuar rreth 110 hot-spote potenciale, dhe si zona industriale më të ndotura ka trajtuar Mitrovicën- zonën e Stan Tergut, Obiliqin - aktivitetet e KEK-ut, Drenasin - aktivitetet e Feronikelit, pastaj Kishnicën, Artanën dhe Hanin e Elezit.
Pjesëmarrës të nderuar, duke marrë parasysh mundësitë e kufizuara financiare të Kosovës, dhe buxhetin e pamjaftueshëm të MMPH-së, ne nuk kemi mundur që të kryejmë gjithë aktivitetet e nevojshme për zgjidhjen e problemeve dhe rehabilitimin e hot-spoteve. Por në këtë aspekt, ne kemi gjetur mbështetjen e Institucioneve Evropiane dhe Ndërkombëtare të cilat janë duke dhënë kontribut të çmuar. Me duhet të përmend këtu ndihmën e Komisionit Evropian, Qeverise Holandeze, Çeke, Daneze, Bankën Botërore dhe të UNDP, të cilët po japin mbështetjen e tyre për rehabilitimin e deponive të vjetra si dhe për rehabilitimin e deponive industriale.
Ne jemi të vetëdijshëm se ende kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve institucionale përfshirë edhe të komunave. Se ende kërkohen angazhime për transpozimin e legjislaturës së BE-së, dhe se ende kemi nevojë për përcaktimin e mekanizmave efikas për menaxhimin e mjedisit përfshirë hot-spotet. Për më tepër ne duhet të bëjmë studime më të thella për hot-spotet, për vlerësimin e kostos financiare për rehabilitimin e tyre. Por gjithashtu, përpjekjet tona do të orientohen në ndërtimin e politikave të favorshme për inkurajimin e sektorit privat dhe ndërtimin e marrëdhënieve të partneritet në menaxhimin e mjedisit.
Ndër zhvillimet aktuale në MMPH duhet përmendur këtu Përgatitjen e Planit Strategjik të Kosovës për Administrimin e Mbeturinave, ku janë të involvuar shumë aktor, përfshirë edhe ekspert ndërkombëtar, e që presim që në këtë strategji, në mënyrë adekuate do të ofrohen zgjidhje për menaxhimin e suksesshëm të mbeturinave industriale (deponive të hirit, Trepçës etj.) të cilat janë komponent i rëndësishëm për hot-spotet në Kosovë.
Pjesëmarrës të nderuar, praktikat e vendeve të zhvilluara kanë treguar që rehabilitimi i sipërfaqeve të degraduara, nëpërmes pastrimit dhe rekultivimit është një zgjidhje e favorshme për mjedisin. Prandaj unë i dëshiroj këtij takimi punë të mbar dhe besoj që të jetë një shtytje e mirë dhe e dobishme për zgjidhjen e problemeve tona të përbashkëta”, tha në fjalën e tij ministri Yagcilar .
Pjesëmarrës në Konferencë ishin edhe ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës , përfaqësues të ambasadave, Komisionit Evropian, Bankës Botërore, UNDP dhe ekspert të shumtë mjedisor,