I zhvilloi punimet Punëtoria Konsultative për hartimin e Strategjisë dhe Panit të Veprimit për Biodiversitet 2010-2020
Jeta e njeriut ne Tokë varet pikërisht nga Biodiversiteti
Mbështetur nga Komisioni Evropian (KE) dhe përkrahur edhe nga TAIX-i, sot në lokalet e Restorantit Villa "Gërrmia", i përfundoi punimet punëtoria e dytë konsultative për hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Biodiversitet për periudhën kohore 2010-2020.
Është ky një projekt gjithëpërfshirës ku janë të involvuara të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Për hartimin e kësaj Strategjie , pritet që gjatë muajve tetor dhe nëntor të organizohen dhe mbahen edhe dy punëtori të tjera në mënyrë që deri në fund të vitit Strategjia për Biodiversitetin të finalizohet dhe të kaloj si dokument në Parlamentin e Republikës së Kosovës për aprovim.
Arben Çitaku, u.d i Sekretarit të Përhershëm në MMPH, në fjalën e tij përshëndetëse pasi i falënderoi ekspertët e KE-së z. Idel dhe Bines, si dhe ekspertët e institucioneve vendore, tha se ky proces pa një bashkëpunim të tillë gjithëpërfshirës është po thuajse i pa mundur. Proceset e tilla kërkojnë edhe diskutime publike me qytetarët, andaj vërejtjet dhe sugjerimet e tyre duhet të inkorporohen para se dokumenti të dërgohet në Parlamentin e Kosovës për miratim.
"Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kultivon marrëdhënie shumë të mira me komunitetin e donatorëve, prandaj projektet që do ti identifikoni Ju me këtë Strategji dhe Plan të Veprimit , do të gjejnë mbështetje financiare edhe nga donatorët ndërkombëtar.
Kj o Strategji do të ketë rol të rëndësishëm edhe në drejtim të nënshkrimit të Konventës së Biodiversitetit ku Kosova ende nuk është palë nënshkruese , por edhe të protokolleve dhe marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare", tha në fjalën e tij Arben Çitaku, u.d i Sekretarit të Përhershëm .
Ermira Bojku, këshilltare e zv/ministrit të MMPH-së, Z. Emin Krasniqi , në fjalën e saj tha se të gjithë ne e dimë se Kosova është një vend i vogël por njëkohësisht shume e pasur me vlera natyrore. Si shume vende të tjera, tha ajo, edhe Kosova po përballet me humbje të Biodiversitetit, prandaj është detyrë e jona që sa më shpejt të hartojmë plane, strategji, ligje dhe njëkohësisht të organizojmë fushata vetëdijesuese për ta ruajtur dhe mbrojtur Biodiversitetin në vendin tonë.
| |
Zyra për informim - MMPH
Prishtinë, 03.09.2009 |
|