Ministri Boban Stankoviq i shoqëruar nga zëvendësministri Ismet Hashani dhe zyrtar të tjerë të MKK-së, kanë qëndruar për një vizitë në komunën e Prizrenit, ku dhe janë pritur nga kreu i kësaj komune.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për çështjet e kthimit dhe integrimin e komuniteteve në realitetin kosovar, ku zyrtarët e MKK-së janë siguruar se në komunën e Prizrenit është punuar shumë rreth krijimit të kushteve për kthim në zonat urbane dhe rurale.
Në këtë rast ministri Stankoviq ka theksuar se është ndarë i kënaqur me punën që kanë bërë zyrtarët komunal, për të gjithë të zhvendosurit e kësaj komune. ”Më vjen mirë, që jam siguruar se janë krijuar kushtet për kthim edhe në mjediset urbane konkretisht në qytetin e Prizrenit, që është angazhim i MKK-së për periudhat e ardhshme. Besoj në bashkëpunimin me KK të Prizrenit, dhe të komunave tjera , ku janë pjekur kushtet për kthim, se ky kthim do të ndodhë dhe njëkohësisht u bëj thirrje të gjithë të zhvendosurve të kthehen në vendet e tyre të dikurshme dhe të ta njohin realitetin në Kosove,”është shprehur ministri Stankoviq.
Gjithashtu ministri Stankoviq ka theksuar se “Me qëllim që të gjithë të zhvendosurit të kthehen dhe të riintegrohen në shoqërinë kosovare, Ministria për Komunitete dhe Kthim për këtë vit ka ndarë dy milion euro për komunitete, ku në të ardhëm do të bëjmë përpjekje që këtë shumë ta dyfishojmë”.
Ndërsa për projektet prioritare të komunës së Prizrenit ministri Stankoviq ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit me OJQ-të nga radhët e komuniteteve, në shumën rreth 500 mijë euro.