
Pas një pune dyditore në Prishtinë përfundojë punimet Konferenca Rajonale me temën "Reformimi i prokurimit publik në Ballkanin Perëndimor ", me koncentrim të veçantë në sfidat kryesore dhe prioritetet për ndryshime. Konferenca u mbajtë nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës Prof Dr. Fatmir Sejdiu.
Konferenca është organizuar si iniciativë e përbashkët e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosovës, Agjencisë së Prokurimit Publik të Kosovës dhe OECD/SIGMA nga Parisi. Pjesëmarrës të konferencës janë përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të prokurimit publik nga rajoni i Ballkanit Perëndimor si: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i zi, mandej pëfaqësuesit e KE nga Brukseli dhe përfaqësues dhe ekspertë të prokurimit nga Shtete të ndryshme të Evropës.
Në hapjen solemne të Konferencës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Prof Dr. Fatmir Sejdiu në fjalën e tij përshëndetëse, pasi që i urojë konferencës punë të suksesshme tha se jemi shumë të interesuar që fondet tona buxhetore të shfrytëzohen në mënyrë sa më racionale sidomos për investime kapitale por edhe për mallra dhe shërbime. Kosova është shtet i ri dhe me ekonomi të dobët, andaj kjo duhet të jetë arsye që të jemi shumë të kujdesshëm në shfrytëzimin e parasë publike. Ne jemi deklaruar qartë për mos tolerancë ndaj shkeljes së ligjit, prandaj është detyrë edhe e këtij tubimi që të kontribuojë që të ndërtohet sa më mirë prokurimi, si nga ana ligjore, po ashtu edhe ajo profesionale, në mënyrë që të rritet përgjegjësia e të gjithë aktorëve që veprojnë me fonde publike.
Kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës Z. Jakup Krasniqi duke ju drejtuar me një fjalë përshëndetëse konferencës tha se Parlamenti i Kosovës ka miratuar ligje të kësaj fushe sipas standardeve evropiane, ndërsa evitimi i shkeljeve ligjore në prokurim përbën një nga aktet kryesore të luftës kundër krimit të organizuar në përgjithësi. Marrja e vendimeve nga prokurimi publik duhet të bëhet pa u ndikuar nga grupe të interesit, derisa mosdiskriminimi dhe transparenca duhet të jenë sfidat kryesore të prokurimt publik u shpreh Kryeparlamentari Krasniqi.
Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosovës Z. Ilaz Duli tha se është nderë i posaçëm për prokurimin publik të Kosovës, si dhe për Kosovën në përgjithësi që një konferencë i nivelit të tillë të mbahet këtë vit në Prishtinë. Me siguri kjo është ngjarja më e rëndësishme në fushën e prokurimit publik në nivel evropian për vitin 2008. Konferenca do të zgjatë dy ditë të plota, dhe në të do të trajtohen temat që kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në fushën e prokurimit publik në vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë konferencës pjesëmarrësit do të njihen me përvojat më të mira të prokurimit publik në disa shtete të Evropës Perëndimore që kanë një traditë të gjatë të prokurimit, si dhe nga disa shtete të Evropës Qëndrore dhe Juglindore të cilat kohët e fundit janë anëtarësuar në BE. 
Në emër të Komisionit Evropian –zyrja në Prishtinë konferencës i'u drejtua me një fjalë përshëndetëse Znj. Angeliki Votsoglu, e clia tha se ndihet e kënaqur që vendet e Ballkanit Perëndimor shkëmbejnë përvojat në fusha të rëndësishme, siq është prokurimi publik. Komisioni Evropian ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë reformat e prokurimit publik në Kosovë, si fushë e rëndësishme e luftimit të korrupcionit citoj Znj. Votsoglu.
Përfaqësuesi i OECD/SIGMA nga Parisi Z. Piotr-Nils Gorecki tha se është kjo konferenca e katërtë me radhë e kësaj fushe e cila organizohet në
Rajonin e Ballkanit Perëndimor. E para është organizuar në Ohër në vitin 2004, e dyta në Sarajevë në vitin 2006, e treta në Dubrovnik në vitin 2007, dhe tani kjo e katërta në Prishtinë. Në të gjitha këto konferenca janë trajtuar tema të ndryshme nga fusha e prokurimit publik, si dhe janë këmbyer përvojat në fushën e prokurimit publik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke pasur para sysh se vendet e Ballkanit Perëndimor janë përafërsishtë në një situatë të njëjtë sa i përket zhvillimit të sistemit të prokurimit publik, organizimi i këtyre konferencave ka pasur një ndikim mjaftë të rëndësishëm në reformimin dhe avansimin e sistemit të prokurimit publik në këto vende, citoj Z. Gorecki.