Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Si Kryeministër i ri i vendit i zgjedhur më vullnetin dhe votën tuaj të lirë, jam plotësisht i vendosur dhe i përkushtuar që më ndërgjegjeje dhe me gjithë potencialin tim profesional bashkërisht me stafin tim, do të angazhohem në realizimin e objektivave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, çdo herë duke vepruar në respektimin e plotë të normave juridike që janë në fuqi në Kosovë. Realizimi i objektivave të qytetarëve të Kosovës për ndërtimin e një shteti ku sundon ligji, presupozon, jo vetëm përgatitjen dhe aprovimin e normave juridike por edhe botimin dhe publikimin e tyre. Përmes botimit dhe publikimit të këtyre normave, qytetarët njihen më për së afërmi me përmbajtjen e normave juridike respektivisht me të drejtat dhe obligimet e tyre. Jam shumë i lumtur që Kosova aktualisht e ka Zyrën për Menaxhimin dhe Administrimin e Gazetës Zyrtare, që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Zyrë e cila merret ekskluzivisht me botimin dhe publikimin e të gjitha akteve juridike të cilat përgatiten dhe miratohen nga institucionet e Kosovës.
Qytetarë të Kosovës, ju sigurojë që gjatë mandatit tim, Zyra për Menaxhimin dhe Administrimin e Gazetës Zyrtare do të ketë mbështetjen e plotë, me qëllim të realizimit sa më të suksesshëm të mandatit të saj, respektivisht botimin dhe publikimin e normave juridike të legjislacionit të vendit tonë. Botimi dhe publikimi i normave juridike është kusht qenësor për ndërtimin e një shteti të mirëfilltë demokratik dhe ligjor.
Duke bërë botimin dhe publikimin e normave juridike, Zyra për Menaxhimin dhe Administrimin e Gazetës Zyrtare, bën të mundur që të gjithë qytetarët e Kosovës të kenë qasje sa më lehtë dhe sa më shpejtë me qëllim të njohjes së legjislacionit të vendit të tyre. Në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës do ti njohin të drejtat dhe përgjegjësit e tyre në raport me njëri tjetrin dhe në raport me shtetin, si dhe ta kuptojnë se të gjithë qytetarët pa dallim janë të barabartë para ligjit.
Botimi dhe publikimi i normave juridike të shtetit, po ashtu kontribuon në ndërgjegjësimin dhe ngritjen e vetëdijes ligjore të zyrtarëve të institucioneve dhe të qytetarëve të vendit në përgjithësi, se vetëm me zbatimin e plotë të normave juridike në jetën e përditshme, bëjmë të mundur krijimin dhe funksionimin e një shteti plotësisht demokratik dhe ligjor në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Më këtë rast i falënderoj të gjithë ata të cilët kanë kontribuar, janë duke kontribuar dhe do të kontribuojnë në të ardhmen, në përgatitjen, botimin dhe publikimin e legjislacionit të vendit tonë. Njëkohësisht ju uroj stafit të Zyrës për Menaxhimin dhe Administrimin e Gazetës Zyrtare suksese të mëtejme dhe punë të mbarë në punën shumë të dobishme që po e bëjnë në ndërtimin e shtetit të së drejtës. Së fundi normat juridike botohen dhe publikohen, ndërtojnë kujtesën kolektive të një populli dhe një vendi, ato vendosin një vazhdimësi ndërmjet brezave dhe legjislaturave, i japin ritëm jetës së një vendi. Historia e një vendi lidhet dhe transmetohet nëpërmjet ligjeve.
Me respekt,
Hashim THAÇI
Kryeministër i Kosovës